Dy vëllezërit rrahin keq shokun e tyre në Suharekë, ia thyejnë dhëmbin

Përleshjet mes të rinjve tashmë janë bërë të zakonshme në vendin tonë. Pothuajse çdo ditë raportohet për sherre të ndryshme, motivet e të cilave shpesh dalin të jenë banale. Gjatë rrahjeve përpos grushteve shpesh përdoren edhe mjete të mprehta e të forta, çka ka bërë që shumë raste ndër vite të përfundojnë tragjikisht.

Një rrahje ka ndodhur në orët e para të ditës së sotme në Suharekë, ku dy vëllezër dyshohet se kanë rrahur brutalisht shokun e tyre.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës së Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Suharekë kanë bërë me dije se 24-vjeçari është dërguar atje në gjendje të rëndë, pasi kishte lëndime serioze në kokë dhe një dhëmb të thyer.

Pas intervenimit të stafit mjekësor, gjendja shëndetësore e viktimës është stabilizuar dhe ai ndodhet jashtë rrezikut për jetë.

Lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë intervistuar viktimën, sipas të cilit të dyshuarit pasi kanë pirë gjithë ditën alkool së bashku, pasi janë larguar nga lokali e kanë sulmuar fizikisht me kondak të armës së gjatë.

Të dyshuarit menjëherë pas kryerjes së veprës janë larguar në drejtim të panjohur, mirëpo burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se pas veprimeve hetimore është arritur që njëri nga ta të bie në prangat e Policisë.

24-vjeçari që është arrestuar ka pranuar para hetuesve policorë se bashkë me vëllain e tij më të vogël kanë kryer veprën për të cilën dyshohen.

Me urdhër të prokurorit, ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit policor, ndërkohë që po vazhdojnë kërkimet për të dyshuarin e dytë. Të njëjtin do të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Lëndim i rëndë trupor’ dhe ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’.

Lexo edhe:  Ganiu: Më quanin “pijanec”, por kur më sheh Zoti, kurrë në jetë nuk fshihem prej askujt