I riu në Vushtrri kapet mat me drogë, Policia ia gjen gjashtë qese marihuanë

Konsumimi i drogës është një dukuri që po lulëzon në të gjitha qytetet dhe po prek në veçanti të rinjtë, duke e dëmtuar shëndetin e tyre dhe cenuar sigurinë e qytetarëve, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë është zbuluar mbrëmë në rrugën ‘Pandeli Sotiri’ në Vushtrri, ku një njësi e Policisë që po patrullonte në atë zonë ka ndalur për kontroll një person.

Sinjali mëson se gjatë kontrollit, tek i dyshuari janë gjetur dhe sekuestruar gjashtë qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë.

25-vjeçari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Me urdhër të prokurorit, ndaj tij kanë nisur hetimet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.

Lexo edhe:  Persona të maskuar dhe të armatosur shpërthejnë një bankomat me eksploziv në Gjilan