Dy vajza e rrahin babanë e tyre në Prishtinë, 65-vjeçari kërkon ndihmën e Policisë

Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve. Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre.

Një rast i rëndë ka ndodhur dje në një familje në rrugën ‘Viktor Majer’ në Prishtinë, ku dy vajza po dyshohen se kanë ushtruar dhunë ndaj babait të tyre.

Sinjali mëson se 65-vjeçari e ka denoncuar rastin në Polici, ku ka deklaruar se dy vajzat e tij fillimisht e kanë ofenduar me fjalë të ndryshme, e më pas kanë ushtruar dhunë fizike.

Si rezultat i raportimit, njëra nga të dyshuarat është shoqëruar në stacion policor për intervistim, teksa tjetra akoma nuk është kapur nga Policia.

Me urdhër të prokurorit, ndaj tyre është iniciuar rasti për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.

Lexo edhe:  Origjinali kushton rreth 2 mijë euro, Durmishi thotë se e ka blerë xhaketën 100 euro në Fushë Kosovë