Dy persona gjenden pa shenja jete, një në Bjeshkët e Irzniqit e tjetri në Istog

Dy raste të vdekjes kanë ndodhur gjatë ditës së sotme në rajonin e Pejës të cilat policia i ka cilësuar si vdekje aksidentale.

Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë për këtë rajon, Fadil Gashi, i cil tha se njëri prej këtyre rasteve ka ndodhur në Bjeshkët e Irzniqit në orët e hershme të mëngjesit.

“Sot rreth orës 6:55 policia është njoftuar se në Bjeshkët e Irzniqit se një person ka humbur jetën. Për shkak të terrenit të vështirë, policia dhe ambulanca nuk kanë arritur deri te vendi i ngjarjes derisa janë angazhuar edhe njësite tjera të kërkim shpëtimit për të transportuar trupin e viktimës”, ka thënë ai.

Sipas tij vdekja e viktimës, është konstatuar nga ekipi mjekësor, derisa dyshohet se arsyeja ka qenë infarkti kardiak.

“Pas procedurave ligjore trupi u është dorëzuar familjarëve për varrim”, ka deklaruar Gashi.

Ndërsa, lidhur me rastin tjetër të vdekjes, Gashi ka thënë se ka ndodhur në hyrje të Istogut. Ky rast në fillim është cilësuar si vdekje e dyshimtë. Mirëpo pas ekzaminimeve të ekipeve mjekësore është konstatuar se vdekja e personit në fjalë ka ndodhur për shkaqe natyrore.

 

Lexo edhe:  50-she, 100-she e 200-she: Po “vlojnë” paratë false në Kosovë, Policia kap 5 raste