SHBA: Nuk mund të barazohet vrasja e policit me atë të sulmuesve

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kundërshtojnë përpjekjet që të barazohet vrasja e rreshterit të Kosovës, Afrim Bunjaku, me sulmuesit “që ishin të përfshirë në vrasjen” e tij.

Kështu ka thënë zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Mathew Miller, në pyetjen lidhur me atë se si SHBA-ja i cilëson personat që sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.

“Ne kemi qenë shumë të qartë: SHBA-ja dënon fuqishëm sulmet e koordinuara dhe të dhunshme ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator dhe ne shprehim ngushëllime për familjen e rreshterit të Policisë së Kosovës i cili u vra gjatë detyrës. Ne kundërshtojmë përpjekjet për të barazuar vdekjen tragjike të rreshterit të Policisë së Kosovës [Afrim] Bunjaku me vdekjen e individëve që ishin të përfshirë në vrasjen e një polici. Përgjegjësit duhet të dalin para drejtësisë përmes një procesi hetimor transparent. Ky hetim është duke u zhvilluar”, tha Miller, për REL.

Më 24 shtator, Policia e Kosovës u sulmua në Banjskë të Zveçanit, teksa po kryente një operacion për heqjen e një barrikade të vendosur në rrugë.

Si pasojë e sulmit mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku dhe u plagosën disa policë të tjerë.

Sulmuesit e dyshuar – që sipas autoriteteve në Kosovë ishin rreth 30 – u strehuan në manastirin e Banjskës dhe prej aty vazhduan përleshjet me Policinë.

Tre sulmues të dyshuar mbetën të vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit, ndërkaq katër persona janë arrestuar për këtë sulm, që Kosova e konsideron terrorist dhe për të e fajëson Serbinë.

Beogradi ka mohuar se ka gisht në këtë ngjarje.

Lexo edhe:  Jashari shpreh gatishmërinë e FSK-së për mbështetje të Ukrainës