Dy ‘klientë’ të armatosur grabitin punëtorin e ‘Maestro Burger’ në Ferizaj, ia marrin hamburgerët dhe 45 euro

Puna si shpërndarës i porosive të ndryshme, përfshirë ato të ushqimeve të shpejta, shpesh herë është edhe me rrezik për shkak se punëtorët mund të përballen me persona të cilët kanë qëllime t’i dëmtojnë ata financiarisht e fizikisht, raporton Gazeta Sinjali.

Cak i një grabitje të armatosur ka qenë mbrëmë edhe një punëtor i lokalit me ushqime të shpejta ‘Maestro Burger’ në Ferizaj, i cili hasi në dy ‘klientë’ të rrezikshëm.

Sinjali mëson se ai ishte nisur rreth orës 21:30 që t’ua dërgojë atyre porosinë që kishin bërë përmes telefonit për dy hamburgerë dhe dy pije të gazuara. Kërkesa e hajnave të kamufluar në klientë kishte qenë që ‘delivery’ t’i merr me vete 45 euro të cilat sipas tyre do t’i nevojiteshin për kusur.

Në momentin që ka arritur në lokacionin e duhur, 22-vjeçarit i kanë dalë në pritë dy klientët të cilët ishin të maskuar dhe nën kërcënimin e thikave ia kanë marrë porosinë bashkë me paratë që kishte me vete.

Menjëherë pas kryerjes së veprës, të dyshuarit janë larguar në drejtim të panjohur, teksa viktima ka denoncuar rastin në Polici.

Njësitë policore kanë marrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe çojnë në identifikimin e të dyshuarve.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Grabitje’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.

Lexo edhe:  Arrestohet dy javë pasi u lirua i dyshuari që ia çau kokën fëmijës 9-vjeçar në Suharekë