Drama e “ndërrimit të foshnjave”, rrëfimi i babait: Kur m’tha ka vdekur fëmija, e humba kontrollin

Një lëshim i një infermiere e bëri lëmsh gjithë repartin e Gjinekologjisë në QKUK. Ajo kishte lajmëruar prindërit e njërës foshnje që kishte vdekur, krejt gabimisht. Gjatë ditës u raportua se su prindërit menjëherë denoncuan rastin dhe nisën hetimet me urdhër të Prokurorit të Shtetit.

Familja fillimisht ishte informuar se familjarja e tyre ka lindur me sukses një djalë, kurse pas rreth gjysmë ore, familja është njoftuar se u ka vdekur vajza. Babai i foshnjës ka rrëfyer se si ka ndodhur e gjithë ngjarja.

Fatlum Alimi mbrëmjen e së mërkurës përjetoi një ngjarje të rëndë në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK.

Foshnja të cilën ishte duke e pritur, nuk ka mbijetuar dhe ka vdekur gjatë procesit të lindjes që gruaja e tij e kishte me prerje cezariane.

Këtë ngjarje, Alimi rrëfen se e ka bërë më të rëndë fakti se personeli i Gjinekologjisë fillimisht e njoftoi familjen se tyre se u ka lindur me sukses një djalë.

“Njëherë më thanë djalë e ki dhe ma kanë qitë përpara. E shiqova beben dhe ishte mirë. Kam dëshmitarë për këtë. Pas gjysmë ore erdhi doktoresha dhe tha ka ndërrua jetë fëmija. Atëherë ma humbi kontrollin. E kam humbë krejt kontrollin”, ka thënë Alimi për RTV Dukagjinin, përcjell Sinjali.

Alimi thotë se përgjatë disa kontrolleve që gruaja e tij i kishte bërë më parë, ai e kishte ditur që është duke pritur vajzë.

Megjithatë, ai thotë se mjekët në gjinekologji pak ditë para lindjes së gruas, i kanë thënë se sipas kontrolleve të tyre është duke pritur djalë dhe jo vajzë.

Kjo ia shtoi atij bindjen, se gruaja e tij vërtetë e kishte kaluar me sukses lindjen.

“Kur e kam pasur në kontrolla në Fushë Kosovë, më kanë thënë se e kam vajzë. Kur e kam sjellë këtu për me u shtri në spital më kanë thënë “e ke djalë”. Ende pa lindë fëmija, këta e kanë bërë njëfarë kontrolle, pastaj i kanë treguar nuses se djalë e ke. Nusja ja ka thënë që vajzë e ka, por ata kanë insistua duke i thënë “djalë e ki””, ka shtuar ai.

Lexo edhe:  Haradinaj: Dy lajme të mira nga miqtë tonë ShBA-ja

Alimi me familjarë kanë kryer gjatë ditës procedurat e varrimit të foshnjës.

Për këtë, tashmë është aktivizuar edhe Prokuroria.

“Me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rast “Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor”, ndërsa trupi i pa jetë i foshnjës është dërguar në IML, për obduskion. Prokuroria në koordinim me institucionet relevante është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për t’i ndriçuar të gjitha rrethanat e këtij rasti”.

Fatlum Alimi është ankuar gjithashtu edhe për një trajtim jo të mirë të gruas së tij, nga stafi në Gjinekologji.