Dosja e Prokurorisë: Burdushi e përdorte dheun e varreve me pretendimin se shëron sëmundje

Gjykata Themelore e Prishtinës dënoi sot Hysri Peqani, i njohur si Burdushi me dënim unik prej 4 vjet e gjashtë muaj burg dhe 42 mijë euro gjobë.

Prokuroria Speciale të njëjtin e akuzon për veprat penale ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore, mashtrim, armëmbajtje pa leje dhe shpëlarje të parasë.

Gjykata vetëm për veprën ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore i shqiptoi dënim me gjobë në lartësi prej 10 mijë euro.

Gjykata me këtë vendim ka vërtetuar se i akuzuari ka kryer këtë vepër penale, pa kualifikime profesionale dhe pa licencë përkatëse me pretendime se i njëjti mund të shërojë sëmundje fizike e psiqike, paraliza, epilepsi, gratë sterile etj.

Sipas gjykatës, Burdushi e ka kryer këtë veprimtari duke e reklamuar biznesin e tij, duke shtypur vizitkarta me adresë të zyrës, ku në derë të zyrës ka shkruar mjeku me pretendimet se i shëron të sëmurët me barna popullore, shtyp hajmali, ndezë qirinj, merr qime të flokëve, lëng të ngjashëm me ujin, dheun e varreve dhe letra me vizatime të pakuptueshme.

Gjykata në shpallje të vendimit, deklaron se Burdushi e ka kryer këtë veprimtari edhe pse Inspektorati Shëndetësor me vendim i’a kishte ndaluar.

Sipas vendimit të shpallur, Burdushi duke kryer këtë aktivitet ka arritur të hyra të kundërligjshme e cila arrin vlerën e 2 milionë e 528 mijë 715 euro.

‘Burdushi’ akuzohet se që nga viti 2005 kur ka regjistruar biznesin e tij e deri më 26 korrik të vitit 2019, pa kualifikime profesionale mjekësore dhe pa licencë përkatëse, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve se kinse posedon aftësi mbinatyrore dhe ashtu i mjekon edhe sëmundjet më të rënda fizike dhe psikike dhe ndihmon në zgjidhjen e problemeve të ndryshme familjare.

Lexo edhe:  Një 100-vjeçar dyshohet se ka bërë vetëvrasje me granatë të dorës në Klinë

Prokuroria e akuzon “Burdushin” se të dëmtuarve u ka kryer trajtime të improvizuara, të kota, duke i vënë në lajthim dhe duke i nxitur që për këtë t`i paguajnë shuma të ndryshme të parave.

Po ashtu, “Burdushi” akuzohet se ka mbajtur në pronësi armë të tipit pistoletë, dy karikatorë, 166 fishekë si dhe një pushkë gjuetie me 55 fishekë, në kundërshtim me Ligjin për Armët.

Tutje sipas Prokurorisë Speciale “Burdushi” që nga viti 2006 ka kryer shpëlarje të parasë, ashtu që duke e ditur që pasuria e tij buron nga aktiviteti kriminal dhe është fituar duke kryer vepra penale.

Duke filluar nga viti 2006, paratë e tilla i ka futur në sistem bankar përmes deponimit të të hollave të gatshme, kryesisht me arsyetimin se ashtu i paguan këstet e kredive, e pastaj e ka kryer shtresimin – fshehjen e origjinës së tyre përmes transfereve bankare, ashtu që në fund i ka integruar duke i konvertuar në asete të luajtshme dhe të paluajtshme.

Andaj si pasojë e këtyre veprimeve Prokuroria i ka sekuestruar ‘Burdushit’ edhe një pasuri të konsiderueshme të luajtshme dhe të paluajtshme.

Ky rast nga Prokuroria Speciale është i shënjestruar si dhe i koduar “mashtrimi”.

Pos këtij rasti, “Burdushit” në Gjykatën e Prizrenit i është vjetërsuar një rast i mëhershëm për vepër penale të mashtrimit.