Dorëzohet në Polici i dyshuari që gjuajti me armë në drejtim të 27-vjeçarit në Prishtinë

I riu, Shkëlqim Cakiqi, ishte shpallur në kërkim policor që nga 23 maji, pasi i njëjti dyshohet të ketë shtënë me armë zjarri në drejtim të një 27-vjeçari në rrugën ‘Kajtaz Ramadani’ në Prishtinë.

Sinjali që atëherë kishte raportuar lidhur me rastin e rëndë, i cili fillimisht ishte cilësuar si ‘Vrasje në tentativë’.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se Cakiqi gjatë ditës së sotme është paraqitur në stacion policor, ku është intervistuar në praninë e avokatit të tij mbrojtës.

Sipas burimeve, 23-vjeçari gjatë dhënies së dëshmisë, ka treguar edhe për vendndodhjen e armës që e ka përdorur në rast, e për të cilën ka deklaruar se e ka fshehur në një banesë në Fushë Kosovë, e që më pas e njëjta është sekuestruar nga njësitë policore.

Me urdhër të prokurorit, i riu do të hetohet në liri për veprat penale ‘Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm’,  ‘Kanosje’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.

Lexo edhe:  Suharekasi kërcënon me vrasje bashkëshorten, ajo vendos ta denoncojë për dhunën fizike dhe psikike