Dorëzohet djali i ish policit në Gjakovë që u përfshi në incidentin me të shtëna me një grup tjetër

I dyshuari që po kërkohej për incidentin me të shtëna me armë zjarri mbrëmjen e së dielës në qytetin e Gjakovës, është dorëzuar dje në Polici. Dy grupe që dyshohet se janë përfshirë në konflikt janë gjuajtur me armë mes vete, për motive akoma të panjohura.

Sinjali raportoi dje se personi që kërkohej lidhur me këtë rast është Endrit Berisha, djali i ish zyrtarit policor Fadil Berisha, tashmë i pensionuar.

Berisha u paraqit dje, me ç’rast ka dorëzuar edhe armën që dyshohet të jetë përdorur në rast.

Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Gjakovë dhe ka bërë të ditur se i dyshuari është dërguar në mbajtje.

“Me datën 14.04.2024 rreth orës 20:19 është raportuar se pas një mosmarrëveshje në mes të dy grupeve, të njëjtit janë gjuajtur me armë ndërmjet vete. Pas hetimeve të zhvilluara lidhur me rastin është identifikuar një i dyshuar: E. B., i lindur në vitin 1995 mashkull kosovar, mbi dyshimin se i njëjti ishte i përfshirë në këtë incident.

Me datën 15.04.2024 i dyshuari në fjalë është vetë dorëzuar në polici dhe po ashtu ka dorëzuar një armë zjarri e cila dyshohet të jetë përdorur në rast.

I dyshuari është interivistuar në prani të avokatit mbrojtës. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit të shtetit i njëjti është ndalur në mbajtje, ndërsa hetimet janë duke vazhduar në drejtim të arrestimit edhe të tre të dyshuarve të tjerë.” – thuhet në njoftim, ku është bashkëngjitur edhe një fotot e armës së sekuestruar.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  Dalin pamjet, kështu e ka blinduar KFOR-i kufirin në Jarinje