Djali nervozohet me babanë e tij në Leposaviq, e çon në Polici për posedim ilegal të armëve

Posedimi i armëve ilegale është një dukuri shqetësuese në vendin tonë, pasi që Policia vazhdimisht has në persona të armatosur të cilët cenojnë sigurinë e qytetarëve dhe rrezikojnë jetën e tyre. E në disa raste të tjera, janë edhe vetë familjarët të cilët njoftojnë Policinë se në shtëpinë e tyre ndodhen armë.

Një rast i tillë është zbuluar së fundi në Leposaviq, pasi një djalë denoncoi babanë e tij në Polici.

Sinjali mëson se pas një mosmarrëveshje mes tyre, i riu ka vendosur që të njoftojë Policinë se babai i tij posedon armë zjarri, për të cilat nuk ka leje të lëshuar nga organet kompetente.

Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë sekuestruar armët bashkë me municion, teksa 53-vjeçari është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Me urdhër të prokurorit, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti për veprën penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.

Lexo edhe:  Shteti nis procedurat për ta bërë Stacion të Policisë vilën e Radojicic