Djali i familjes Kaçinari në kërkim për sulmin ndaj shtetasit të Shqipërisë, rasti i rëndë ndodhi në parkingun e hotelit të tyre

Dita e djeshme doli të jetë me pasoja të rënda për shtetasin e Shqipërisë, K.M., i cili u përball me një sulm fizik nga tre persona në qytetin e Prizrenit. Në sherrin për parking u përfshi edhe djali i familjes Kaçinari, Hili, të cilët kanë në pronësi hotelin ‘Kaçinari’ në qendër të qytetit. Viktima u dërgua me urgjencë në spital, ndërsa të dyshuarit arritën që të largoheshin në drejtim të panjohur.

Njësitë policore kanë marrë të gjitha veprimet hetimore që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe zbulojnë vendndodhjen e Hil Kaçinarit dhe dy të dyshuarve tjerë, të cilët ende nuk janë identifikuar.

Kaçinari nuk është emër i panjohur për organet e rendit, pasi që ka qenë edhe më para në pranga për vepra të ndryshme penale.

E ngjarja e djeshme dyshohet të ketë ndodhur për shkak se 25-vjeçari kishte parkuar veturën e tij në pronën e të dyshuarit, pa e ditur se e kujt është hapësira.

Kaçinari dyshohet se në përleshje e sipër ka goditur të riun me gur në kokë, duke i shkaktuar lëndime të rënda.

Sinjali ka kontaktuar edhe me Policinë e Kosovës në Prizren, për të marrë informacione nëse i dyshuari është kapur, por i njëjti nuk është hasur ende.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Lëndim i rëndë trupor’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapet i dyshuari.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  Ndahet nga jeta një pjesëtar i Policisë së Kosovës