“Dil nga oborri, ki me pa kush jom unë” – Qytetari e kap për krahu dhe e kërcënon inspektorin e komunës së Lipjanit

Një inspektor i Ambientit në Kuvendin Komunal të Lipjanit dyshohet se është kërcënuar gjatë ditës së sotme, gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

Burimet brenda komunës kanë bërë me dije për Sinjalin se inspektori A.S., është kërcënuar derisa ishte në terren, në fshatin Magure, te shtëpia e një qytetari, ku po kontrollohej nëse po zbatohej një urdhëresë e lëshuar më herët nga komuna.

Inspektori i Ambientit, i cili ishte bashkë me një inspektor të Ndërtimtarisë, e pësoi keq në momentin që hyri në oborrin e qytetarit të dyshuar. Ky i fundit dyshohet se e ka kapur për krahu inspektorin, duke iu drejtuar me fjalët kërcënuese “ki me pa ti kush jom unë, dil nga oborri se të njoh kush je, ta di edhe shtëpinë ku e ke”.

Përballë kësaj situate, inspektori në fjalë e denoncoi rastin dhe kërkoi ndihmë nga Policia. Me t’u raportuar rasti, një njësi policore është aktivizuar dhe ka shoqëruar personin e dyshuar në stacion, bashkë me të birin, që dyshohet po ashtu se është përfshirë në rast.

Pas arrestimit, Prokurori i Shtetit ka dhënë urdhër që ndaj tyre të nisin hetimet për veprën penale “kanosje”.

Lexo edhe:  Bie në pranga 36-vjeçari në Podujevë, dyshohet se rrahu me kondak të armës një person