Dhunë në një familje në Fushë Kosovë, burri rrah brutalisht bashkëshorten e tij

Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhune psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre dhe anëtarët tjerë të familjes.

Ndihmën e Policisë e ka kërkuar mbrëmë edhe një grua nga fshati Vragoli i Fushë Kosovës, pasi burri i saj dyshohet se e ka rrahur.

Sinjali ka mësuar se 24-vjeçarja ka pësuar lëndime trupore si pasojë e dhunës së përjetuar dhe e njëjta ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital. E njëjta ka dhënë dëshminë e saj para organeve të hetuesisë, ku ka deklaruar se pas një konflikti verbal me bashkëshortin, ky i fundit e ka rrahur.

Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë arrestuar të dyshuarin, i cili është shoqëruar në stacion për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.

Lexo edhe:  Kush janë miqtë nga Gjakova që e rrahen dhëndrrin derisa e bënë për spital