Dhuna në familje veç po rritet, disa gra u rrahën dhe u kërcënuan me vrasje në 24 orët e fundit

Mungesa e hetimeve që çojnë në zgjidhjen e rasteve të dhunës, dënimet e ulëta nga Gjykatat, si dhe mosreagimi i duhur nga ana e Policisë, shpesh janë vlerësuar si disa nga faktorët që po ndikojnë në rritjen e numrit të rasteve të dhunës në familje. Gratë, si viktimat më të shpeshta frikësohen t’i denoncojnë bashkëshortët, çka i shtynë ata që ta përsërisin veprën e njëjtë. Në ditët e fundit kanë ndodhur shumë raste të tilla, në vende të ndryshme të vendit tonë.

Sinjali mëson se njëri nga rastet ka ndodhur në Dobërqan të Gjilanit, ku një e burrë ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij, të cilës i ka shkaktuar lëndime trupore. Përveç dhunës fizike, ai po dyshohet se ka ushtruar edhe dhunë psikike ndaj saj dhe fëmijëve. Disa ditë pas denoncimi të rastit, gjatë ditës së djeshme, Policia ka arritur ta arrestojë dhe i njëjti tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor.

Rasti tjetër ka ndodhur në Gjakovë, ku sërish viktimë është një grua, por këtë herë ajo është rrahur nga i biri i saj, i cili ka ushtruar dhunë dhe e ka kërcënuar seriozisht. I riu D.Sh., po dyshohet se e ka kanosur nënë me vrasje, duke i dhënë ultimatum se nëse nuk i jep para, “do ta prej në fyt” dhe “do ta mbys”.  Përballë kësaj situate, ajo e ka denoncuar rastin, edhe për faktin se i biri është përdorues i drogës dhe po i shkakton frikë shumë të madhe. Si rezultat i raportimit, i njëjti ka përfunduar në mbajtje.

Edhe në Fushë Kosovë, ka ndodhur një rast i tillë, në fshatin Vragoli”, ku sërish viktima ka qenë një grua, e cila ka kërkuar ndihmë nga Policia, për shkak të dhunës që ka përjetuar nga bashkëshorti i saj. I dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku është përballur me denoncimin kundër tij dhe më pas Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që i njëjti të ndalohet në kohëzgjatje prej 48 orësh.

Lexo edhe:  Tre ushtarë të KFOR-it të plagosur me armë zjarri

Dhunë ka pasur edhe në një familje në Prishtinë, por këtë herë viktima kanë qenë dy vajza, të cilat e kanë denoncuar babain e tyre për dhunën fizike, që dyshohet se ka ushtruar ndaj tyre. Përballë kësaj situate, ato kanë vendosur të largohen nga shtëpia dhe ta njoftojnë Policinë për atë që kishte ndodhur në shtëpinë e tyre. Vajzat kanë shkuar te një familjare e tyre, ndërsa i dyshuari ka përfunduar në Polici.

Edhe një rast tjetër ka ndodhur po ashtu në kryeqytet, ku për motive akoma të panjohura, një grua është sulmuar fizikisht nga burri i saj, i cili më pas është larguar nga shtëpia dhe s’është bërë më i gjallë. Për të parandaluar ndonjë ngjarje edhe më të rëndë, viktima e ka raportuar atë që kishte ndodhur, me ç’rast ka dhënë deklaratë para hetuesve policorë. Pas denoncimit të rastit, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar nisjen e hetimeve dhe sigurimin e prezencës së të dyshuarit.

Gratë përjetojnë dhunë edhe atëherë kur vendosin të ndahen nga partnerët e tyre, të cilët jo rrallëherë iu shkaktojnë probleme përkundër divorcit. Kështu ka ndodhur me një rast në Mitrovicë, ku një grua është sulmuar dhe kërcënuar nga ish burri i saj. Ai po dyshohet se e ka kanosur me vrasje dhe motivi lidhet me ndarjen e tyre. Si rezultat i denoncimit edhe të këtij rasti, burri i dyshuar është futur në telashe, pasi ndaj tij kanë nisur hetimet për dy vepra penale.