Detaje: Vdekja misterioze e mërgimtarit, u gjet i vdekur pranë një veture

Një 56-vjeçar i cili punonte në Itali dhe së fundmi ndodhej në vendlindje është gjetur pa shenja jete në rrugën Viti-Letnicë. Rasti është cilësuar si “vdekje e dyshimtë”, teksa dyshimet e para lidhen me vetëvrasje.

Lajmin e ka konfirmuar për Express Ismet Hashani, zëdhënës në policinë rajonale të Gjilanit, duke thënë se rasti ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të sotëm.

“Drejtoria Rajonale e Policisë Gjilan, Stacioni Policor Viti rreth orëve të hershme të mëngjesit të sotëm ka pranuar një informatë se në rrugën Viti-Letnicë është gjetur një veturë e braktisur me tabela vendore. Me të dalë në vendin e ngjarjes afër veturës është gjetur trupi i pajetë i një personi Shqiptar Kosovar (1966) i cili ishte pa shenja jete”, tha Hashani për Express.

Sipas policisë, në trupin e viktimës nuk janë vërejtur shenja dhune, por trupi i pajetë i tij është dërguar për obduksion në IML.

“Në vendin e ngjarjes kanë dalur njësitet policore nga Stacioni Policor i Vitisë, mjeku kujdestar dhe Hetimet Rajonale nga Drejtoria Rajonale e Policisë Gjilan të cilat kanë bërë ekzaminimin e vendit të ngjarjes dhe nga hetimet fillestare nuk janë gjetur shenja të dhunës në trupin e viktimës. Në lidhje me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit i cili ka urdhëruar që trupi i pajetë të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për Obduksion”, tha tutje, Hashani.

“Hetimet rreth rastit nga ana e Njësisë së Hetimeve Rajonale në lidhje me rrethanat e rastit janë duke vazhduar në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit”, përfundoi ai.

Lexo edhe:  Arrestohet polici që ishte dënuar me 4 vjet burgim për tentim vrasje, dërgohet në burg