Detaje nga vrasja e rëndë në Pejë: Në vendngjarje u gjetën tri thika dhe një satër, i dyshuari u gjet i ‘larë’ në gjak

E premtja e 14 prillit shënoi krimin më çnjerëzor të ndodhur ndonjëherë në Kosovë. Shtëpia e familjes Hyseni në rrugën ‘Mbreti Zog’ në Pejë, u shndërrua dje në skenë krimi. Kjo pasi që djali i familjes, Urimi, dyshohet se vrau në mënyrë mizore nënën e tij, Hyrijen. I dyshuari gjatë ditës së sotme ka dalë para gjyqtarit të procedurës paraprake, pasi ndaj tij Prokuroria ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.

Gazeta Sinjali ka siguruar kallëzimin penal kundër të dyshuarit, Urim Hyseni, ku bëhet e ditur se gruaja 58-vjeçare u privua nga jeta dhe më pas iu këput koka nga trupi. Në katin e parë të shtëpisë gjet trupi, ndërsa koka e së ndjerës u gjet në një tavolinë në bodrum.

Sinjali mëson se në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale tri thika dhe një satër (mjet i mprehtë për copëtimin e mishit), të cilat dyshohet se u përdorën për t’i hequr kokën viktimës.

Sipas burimeve, Policia me të arritur në vendin e ngjarjes ka hasur në babain e të dyshuarit dhe hallën e tij, të cilët po ashtu janë sulmuar me thikë nga 31-vjeçari. Babai i ka njoftuar Policinë se i dyshuari ndodhet te shtëpia dhe u ka kërkuar që të kenë kujdes nga ai pasi është me thikë në dorë.

Me të hyrë në oborrin e shtëpisë, Urim Hyseni është gjetur i larë në gjak nga krimi makabër që dyshohet të ketë kryer. Sinjali mëson se nga akti i kanibalizmit që kreu, njollat e gjakut i kishin mbetur edhe në gojë.

Në kallëzimin penal të cilin e ka parë Gazeta Sinjali, thuhet se i dyshuari më të parë Policinë dhe pas kërkesës për t’u dorëzuar, u është drejtuar atyre duke u thënë që ta vrasin.

Lexo edhe:  Aksidenti tragjik në Prishtinë / Shoferi që dyshohet se goditi për vdekje 19-vjeçarin, është pjesëtar i FSK-së

Pas urdhrave të njësitit policor, i dyshuari është dorëzuar dhe më pas është shoqëruar në stacion policor, ku ka deklaruar shkurtimisht se ka qenë i shtyrë nga shumë faktorë që të kryejë veprën. Ai nuk ka pranuar që të deklarohet më shumë lidhur me rastin.

Brenda afatit ligjor, Prokuroria Themelore në Pejë ka parashtruar kërkesën në Gjykatën kompetente për caktimin e masës së paraburgimit.

Kjo kërkesë u aprovua sot, ku sipas një komunikate për media nga Gjykata Themelore në Pejë, të dyshuarit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Vrasje e rëndë’.

“Duke pas parasysh se i pandehuri është duke u hetuar për vepër të rëndë penale për të cilën Kodi Penal ka paraparë dënim me burgim jo më pak se dhjetë (10) vjet burgim ose me burgim të përjetshëm dhe se i pandehuri posedon leje qëndrimi jashtë shtetit, rrethana këto të cilat gjykata ka vlerësuar se tregojnë rrezikun e lartë se me gjetjen e të njëjtit në liri apo nën çfarëdo mase tjetër alternative, do të arratiset apo në çfarëdo mënyre do t’i shmanget organeve të ndjekjes dhe në këtë mënyrë do të pamundësojë apo vështirësojë në masë të madhe zhvillimin e hetimeve”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Në anën tjetër, familjarë, miq e të afërm u mblodhën sot në orën 17:00 në varrezat e qytetit të Pejës, për t’i dhënë lamtumirën e fundit viktimës, Hyrije Broqi Hyseni, fundi i së cilës ishte tejet tragjik.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.