Deputeti ukrainas në KiE: Sulmi terrorist me 24 shtator ndaj Kosovës më kujton fillimin e pushtimit rus

Deputeti ukrainas në Këshillin e Evropës, Oleksandr Merezhko, duke folur për sulmin terrorist të Serbisë në Kosovë, ka thënë se ia kujton fillimin e pushtimit rus në Ukrainë.

Gjatë një diskutimi dje në Asamblenë Parlamentare, ka shtuar se, përmes Beogradit, Rusia po tenton të nisë një luftë tjetër në Ballkan.

“Situata në Kosovë është vërtet shqetësuese dhe më kujton fillimin e pushtimit rus në Ukrainë në vitin 2014. Stili i përfshirjes duket i njohur, sikur dikush po vepron sipas modeleve të sjelljes së Putinit. Nuk e përjashtoj mundësinë që Rusia me ndihmën e përfaqësuesve të saj në Ballkan, po përpiqet të provokojë një luftë të re ballkanike për të larguar vëmendjen nga pushtimi në Ukrainë”, u shpreh Merezhko.

Më tej theksoi se Serbia e ka përdorur si mjet politik çështjen e komunitetit serb në Kosovë për të nisur diçka më të madhe.

“Çdo shtet ballkanik, duke përfshirë edhe ata të krijuar si rezultat i një gjenocidi të kryer kundër tyre, meritojnë të jenë të pavarur dhe të lirë nga ndërhyrjet e jashtme. Disa shtete në Ballkan duhet të ndalojnë përdorimin e pakicave kombëtare në shtetet fqinje si një mjet politik kundër sovranitetit të atyre shteteve”, ka deklaruar ai në KiE.

Për t’u bërë Serbia anëtare e Bashkimit Evropian, Merezhko tha se duhet plotësuar disa kushte.

“Besoj se Serbia mund të bëhet anëtare e BE-së vetëm nëse shkëputet nga e kaluara e saj, do ta njohë Kosovën de-jure dhe do t’i bashkohet BE-së në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusi”.

“Nuk besoj se Vuçiq ka ndonjë iluzion për mundësinë e vendosjes së kontrollit mbi Kosovën. Mua më duket si një lojë politike. Vuçiq po përdor çështjen e njohjes së Kosovës si levë në këtë lojë”.

Lexo edhe:  Edhe një ushtar i FSK-së nga Mitrovica lë ushtrinë dhe merr rrugën e mërgimit