Denoncoi burrin për dhunë, përfundojnë në ndalim babë e bir nga Prizreni – Policia iu zbulon armë në shtëpi
Numri i rasteve të dhunës në vendin tonë është në rritje çdo ditë e më shumë. Çdo ditë gra që përjetojnë dhunë nga familjarët e tyre, kryesisht bashkëshortët, kërkojnë ndihmën e Policisë për të marrë mbrojtje dhe për të zgjidhur problemet.
Kështu ka vepruar pasditen e sotme një grua nga Prizreni e cila ishte duke përjetuar dhunë fizike nga bashkëshorti i saj.
Ajo denoncoi bashkëshortin e saj në polici, ndërsa rastin për Sinjalin e ka konfirmuar togeri Shaqir Bytyqi.
Ai the se, Policia me të shkuar te shtëpia e të dyshuarit ka hasur në armë ilegale të cilat i kanë sekuestruar.
“Rasti është raportuar rreth ores 18:40, dyshohet se i dysbuari mashkull rreth 25 vjeçar e ka sulmuar bashkëshortën e tij. Gjatë intervistimit është kuptuar se babai i të dyshuarit posedon armë ilegale”, tha Bytyqi.
Ai shtoi se Policia ka konfiskuar një kallash AK 47, një pistoletë simulation dhe 700 fishekë.
Ndërsa 25-vjeçari dhe babai i tij, pas intervistimit janë ndaluar për 48 orë.