Demoloi tërësisht një automjet në Prishtinë, kapet 19-vjeçari

Shumë shpesh personat e dyshuar për vepra të ndryshme penale, arrijnë që të arratisen nga duart e drejtësisë. Por pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore, në shumë raste ata kapen nga Policia.

Të njëjtin fat e pati edhe një i ri në Prishtinë, i cili ishte në arrati që nga fillimi i muajit.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë bëjnë me dije se 19-vjeçari është arrestuar gjatë ditës së djeshme dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Sipas burimeve, i dyshuari kishte demoluar një automjet i cili ishte i parkuar në rrugën ‘Eqrem Çabej’.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Asgjësim apo dëmtim i pasurisë’.

Lexo edhe:  Policia gjermane kërkon ndihmë për gjetjen e shqiptares 15-vjeçare, rezulton e zhdukur nga 11 shtatori