Deklarohet i pafajshëm i akuzuari për vrasjen e ish-bashkëshortes në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj

Valon Aliu, i akuzuar për vrasjen e ish-bashkëshortes Erona Cokli në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj në prill të këtij viti, është deklaruar i pafajshëm për veprën penale të vrasjes së rëndë dhe atë të kanosjes.

Aliu ndërsa pranoi fajësinë për armëmbajtje pa leje.

Gjykata mori aktvendim për pranimin e fajësisë të deklaruar nga i akuzuari Aliu, sa i përket veprës penale të armëmbajtjes pa leje.

Ndryshe, sipas aktakuzës, “i pandehuri Aliu akuzohet se më 12 prill 2024, brenda Zyrës së Qendrës për Punë Sociale, (QPS) në rrugën “Vëllezërit Gërvalla”, në Ferizaj, me dashje ka privuar nga jeta të ndjerën E.C, me të cilën kishte bashkëjetuar.”

Në aktakuzë thuhet se, “fillimisht në ditën kritike rreth orës 13:00, sipas marrëveshjes në QPS, i akuzuari e kishte marrë djalin e tij dhe e kishte dërguar në shtëpi për t’ia prerë flokët, kurse është dashur që ta kthente në ora 15:00, mirëpo i pandehuri pas 40 minutave kthehet pa fëmijë në QPS, ku fillimisht bisedon me zyrtaren e kësaj qendre, Q.Z, pastaj del përjashta ku në një lokal pret dhe rreth orës 14:40 minuta vëren tani të ndjerën E.C me vëllain e saj D.C, dhe para tyre në zyrën e QPS-së dhe posa aty mbërrin e ndjera së bashku me vëllain e saj, pas një fjalosje të shkurtër, nxjerr nga brezi armën  dhe e qëllon të ndjerën E.C në kraharor.”

Tutje, në aktakuzë thuhet se, pastaj i akuzuari Aliu “me dashje që ta privoi nga jeta kishte shtënë në drejtim të të dëmtuarin D.C, të cilin e kishte goditur në krahun e djathtë, kurse pasi i dëmtuari duke mbledhur krahët instinktivisht është tkurr, e ndjera E. fillon të largohet në drejtim të dritareve e godet edhe një herë në gjoks dhe në fund e godet në anën e majtë të kokës 3cm mbi laprën e veshit, për pasojë e ndjera ndërron jetë në vendin e ngjarjes.”, raporton Betimi për Drejtësi

Lexo edhe:  Arrestohet shoferi i kamionit që dyshohet se shkaktoi aksidentin në Klinë ku vdiq mërgimtari