Burri që u përfshi në përleshje me deputetin është mërgimtar, flet pas rrahjes: Më ka fyer në grua dhe në nënë

Armend Zemaj, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, është përfshirë në një përleshje me një qytetar, derisa ishte duke dhënë një intervistë në qendër të Prishtinës. Zemaj thuhet se e ka sulmuar qytetarin pasi që ai dyshohet se e ka provokuar me fjalë.

I përfshirë në incident me deputetin Zemaj është Nuha Osmani, mërgimtar nga Gjermania.

Ai ka folur pas incidentit duke kërkuar që deputetët që sillen dhunshëm të japin dorëheqje.

“Ai më ka fyer me grua dhe me nënë, ai u sjell dhunshëm, kisha kërku që ai të më kërkojë falje. Të tjerat le ti kryn drejtësia”, tha ai për RTK.

Avokati Liridon Kutllovci ka bërë të ditur se deputeti ka ushtruar dhunë fizike ndaj qytetarit që ai përfaqëson.

Sipas versionit të avokatit, ngjarja ka ndodhur gjatë një interviste publike të deputetit Zemaj. Klienti i tij, i cili po kalonte pranë bashkë me bashkëshorten, i është drejtuar deputetit me fjalët: “Të gjithë jeni njësoj, vetëm gënjeni”, duke shprehur, siç thuhet në deklaratë, frustrimin qytetar ndaj gjendjes politike e ekonomike në vend.

Në vend që të ruante qetësinë, deputeti Zemaj, sipas Kutllovcit, është kthyer me fjalë fyese, duke i thënë qytetarit: “Gënjen nëna dhe gruaja juaj”, fjalë që, sipas avokatit, janë shqiptuar në prani të bashkëshortes së qytetarit.

Lexo edhe:  Shitblerja e narkotikëve: I riu në Prishtinë kapet mat me 13 qese marihuanë, dërgohet në mbajtje