Burri në Malishevë e rrah gruan me raketë tenisi, përfundon në pranga
Rritja e rasteve të dhunës në familje në Kosovë është bërë mjaft shqetësuese. Në të shumtën e këtyre rasteve viktima janë gratë, që përjetojnë dhunë qoftë nga bashkëshortët e tyre apo edhe familjarë të tjerë. Kështu ka ndodhur edhe sot pasdite në fshatin Ngucat të Malishevës.
Sinjali mëson se rastin e ka denoncuar një 40-vjeçare e cila ka deklaruar se bashkëshorti i saj ushtron dhunë fizike ndaj saj vazhdimisht.
Rasti i fundit dyshohet të ketë ndodhur dje, ku sipas saj, i dyshuari e kishte rrahur duke e goditur me raketë tenisi. Si pasojë e dhunës së përjetuar, gruaja ka marrë lëndime trupore, për çka ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital.
Ajo para hetuesve policorë ka rrëfyer gjithë ngjarjen dhe ka kërkuar që të dërgohet te familja e saj, pasi nuk ndihet e sigurt të vazhdojë bashkëjetesën me bashkëshortin.
Ndërkohë i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion të Policisë për intervistim, ku ka pranuar se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.
Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj të dyshuarit të nisin hetimet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’ dhe i njëjti të dërgohet në mbajtje për 48 orë.