Borrell: Kurti nuk e pranoi propozimin për kompromis, insistoi në njohje

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk e pranoi propozimin e BE-së për zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, por se kërkoi që të formalicohet njohja de facto e Kosovës nga Serbia.

Borrell priti të enjten në një rund të ri bisedimesh Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Sot, me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq, kam tentuar që të gjejmë zgjidhje për një rrugë përpara, bazuar në propozimin tonë. Fatkeqësisht, pas një takimi të gjatë, kryeministri Kurti nuk ka qenë i gatshëm që të ecë përpara me fillimin e një procesi të besueshëm për themelimin e Asociacionit [të komunave me shumicë serbe në Kosovë]. Në vend të kësaj, ai ka insistuar që të formalizohet njohja de facto si hap i parë”, tha Borrell.

Vuçiq: Bisedimet përfunduan pas sukses
Vuçiq tha se bisedimet me Kurtin përfunduan pa sukses, pasi Kurti, sipas tij, “e refuzoi propozimin evropian”.

Dy udhëheqësit u takuan të enjten në Bruksel – për herë të parë pas më shumë se katër muajsh – në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

“Ne të gjithë i kemi propozimet tona – shqiptarët i kanë të tyret, ne i kemi tonat. Në fund, ne si Serbi e kemi pranuar propozimin e kompromisit të BE-së. Kurti nuk ka dashur ta pranojë. Takimi ka përfunduar”, u tha Vuçiq gazetarëve.

I pyetur nga ta se cili ishte propozimi i BE-së, ai tha se, para së gjithash, flitet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe – “të shohim nëse kemi proces të besueshëm ose jo”.

“Nëse do të konstatonim se procesi është i besueshëm dhe se po shkojmë drejt formimit të Asociacionit të komunave [me shumicë] serbe, ne paralelisht do të nisnim me obligimet tona. Por, pala tjetër nuk ka pranuar”, tha Vuçiq.

Lexo edhe:  Presidentja rrëfehet për luftën: Babi ka qenë në shënjestër tërë kohën, i burgosur, i torturuar

“Është e qartë se Kurti, thjesht, i shmanget formimit të Asociacionit… Ky është thelbi i gjithçkaje”, tha ai.

Për formimin e këtij asociacioni, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje qysh në vitin 2013, por ajo nuk është zbatuar kurrë, për shkak të shqetësimeve të shprehura në Prishtinë, në lidhje me ndikimin që do të kishte ky asociacion në funksionalitetin e shtetit.