“Boll ka jetu me ne”, nusja në Viti e nxjerrë vjehrrën 70-vjeçare në oborr, i thotë të shkojë te djali tjetër

Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhune psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre dhe anëtarët tjerë të familjes. E shumë të shpeshta janë edhe konfliktet mes vjehrrave dhe nuseve, raporton Sinjali.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se një rast i tillë ka ndodhur të dielën në fshatin Rimanishtë të Vitisë, ku një grua e moshuar e ka raportuar në Polici renë e saj, pasi e njëjta dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj saj.

Viktima, 70-vjeçare ka kërkuar ndihmë mjekësore, teksa ka rrëfyer se si nusja e djalit e ka kapur me zor dhe e ka nxjerrë në oborr, duke mos e lënë që të jetojë bashkë me ta në shtëpi. Sinjali mëson se e dyshuara ia ka larguar edhe rrobat dhe i ka kërkuar që të shkojë për të jetuar me djalin tjetër të saj.

Si rezultat i denoncimit, e dyshuara është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar lidhur me rastin, duke u arsyetuar se vjehrra e saj ka jetuar “mjaftueshëm” me të.

Pas përfundimit të procedurave policore, ndaj saj, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit për veprën ‘Dhunë në familje’.

Lexo edhe:  Vdes Beqir Krasniqi, njëri nga 13 të mbijetuarit e masakrës