Bleu produkte në vlerë prej 740 euro të gjitha me monedha 2 euro, shoqërohet në polici i dyshuari

Të dielen rreth orës 15:00 Policia Rajonale e Ferizajt ka pranuar një informacion se në rrugën magjistrale Ferizaj-Prishtinë tek një qendër tregtare në Ferizaj, një person i dyshuar aty kishte blerë produkte ushqimore në vlerë rreth 740 euro, të gjitha monedha nga dy euro të dyshuara si të falsifikuara dhe ishte larguar.

Policia njofton se pas grumbullimit të informacioneve në terren, shikimit të kamerave të sigurisë, “është identifikuar dhe është shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj personi i dyshuar H.R ( M/K) i moshës 41 vjeçare”.

Policia njofton se pas intervistimit nga policët hetues, me vendim të prokurorit të rastit i njëjti është liruar në procedurë të rregullt hetimore.

“Kurse monedhat në vlerë 740 euro, të gjitha monedha nga dy (2) euro janë konfiskuar, për procedura të mëtejme hetimore”.

Lexo edhe:  Ky është i riu serb që dyshohet se rrahu për vdekje 49-vjeçarin në Shtërpcë