Biznesmeni nga mërgata dyshohet se dëmtoi për 3 milionë euro buxhetin e Kosovës

Feim Pulaj, një afarist nga Zvicra i cili ka investuar në Kosovë, dyshohet për shmangie nga tatimi në vlera milionëshe.
Pula është një nga dy afaristët e përfshirë në një hetim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë nën dyshimet për shmangie nga tatimi dhe falsifikim të dokumenteve.

Siç ka marrë vesh Paparaci, Departamenti për Krime Ekonomike i Policisë së Kosovës ka kryer bastisje në objektin e ATK-së në lagjen Arbëria të Prishtinës dhe në një lokacion tjetër në Prizren.

Feim Pulaj, me origjinë nga Prizreni, dyshohet se ka tentuar t’i shmangej tatimit në vlerë rreth 3 milionë euro.

Paparaci, ka mësuar se hetimet ndërlidhen edhe me zyrtarë të ATK-së për mashtrim në detyrë. Ata dyshohet se kanë pranuar fatura fiktive nga Pulaj dhe një biznesmen tjetër. Këto fatura ishin pjesë e një aplikimi për rimbursim nga ATK-ja.

Sipas Prokurorisë Themelore në Prishtinë, aksioni ka nisur mëngjesin e së martës.

Zëdhënësja e Prokurorisë në Prishtinë, Laureta Ulaj tha se hetimet po kryhen në drejtim të veprave penale “Mashtrimi në detyrë”, “Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin” dhe “Shmangia nga tatimi”.

“Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, njofton se nën udhëheqjen e kësaj prokurorie, më konkretisht nga Departamenti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, në koordinim të plotë me Policinë dhe pas aprovimit të Gjyqtarit të Procedurës Paraprake, është duke u zhvilluar një aksion që nga mëngjesi, përfshirë disa lokacione në nivel në Kosovës”, tha Ulaj të martën në një përgjigje me shkrim për Paparacin.

Zëdhënësja e Prokurorisë tha se hetimet përfshijnë “persona zyrtarë e qytetarë”.

Ajo tha se Prokuroria Themelore në Prishtinë do t’iu njoftojë me kohë për zhvillimet nga ky aksion, pasi të mbarojë i tëri.

Lexo edhe:  Fillon marshi për 18-vjeçarin e vrarë në Podujevë