Bie në prangat e Policisë i dyshuari për vjedhjen e 200 mijë eurove në Teqenë e Madhe në Gjakovë

Policia e Kosovës ka bërë me dije se ka vënë në pranga të dyshuarin për vjedhjen e 200 mijë eurove në Teqenë e Madhe në Gjakovë, raporton Gazeta Sinjali.

Sipas një komunikate për media, Policia njofton se pas një hetimi të gjerë dhe intensiv është arritur të identifikohet i dyshuari Xh.Th, 48-vjeçar, i cili dyshohet se kishte depërtuar në shtëpinë e shehut dhe kishte vjedhur para në dy kasaforta, disa çelësa personal, dhe disa stoli të arit.

“Sektori Rajonal i Hetimeve në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë pas një hetimi të gjerë dhe intensiv, ku janë shikuar qindra orë video incizime (nga lokacione të ndryshme) dhe janë analizuar shumë prova është arritur të identifikohet dhe arrestohet i dyshuari: Xh.TH., i lindur në vitin 1975, shtetas i Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim të Policisë.

Sipas policisë, i njëjti po dyshohet për veprën penale vjedhje e rëndë e kryer me 22 maj.

“Me vendim të gjykatës është kryer kontroll në objektet e banimit të të dyshuarit me çrast janë gjetur dhe sekuestruar: një pistoletë me një karikator, gjashtë copë fishekë, disa stoli ari, rrobe, telefona dhe disa gjëra tjera të cilat dyshohet se janë përdorur me rastin e kryerjes së vjedhjes”, thuhet më tej në njoftim të Policisë.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprave penale “Vjedhje e rëndë” dhe “Mbajtje në pronësi dhe kontroll të paautorizuar të armëve”’.

Lexo edhe:  Kërcet grushti në Fakultetin e Edukimit në Gjakovë, profesori e bën për spital referentin