Arrestohen babë e bir: Këta janë dy afaristët që dyshohet se rrezikuan shëndetin e kosovarëve

Një aksion i Policisë së Kosovës të enjten ka vënë në pranga dy afaristët Kamer dhe Epidam Gjikokaj.

Të dy, babë e bir, dyshohen për kontrabandim të mallrave, prodhimin dhe shitjen e artikujve të dëmshëm ushqimorë dhe mashtrimin e blerësve, raporton Paparaci.

Dy afaristët, të cilët udhëheqin biznese të tregtisë ushqimore në Graçanicë dhe Prishtinë, janë arrestuar të enjten në mesditë. Bashkë me ta janë arrestuar edhe tre persona të tjerë me inicialet Q.SH.M.SH dhe E.I..

Të premten, Prokuroria e Ferizajt vendosi për ndalimin e dy afaristëve Gjikokaj dhe të tjerëve për 48 orë.

Sipas Prokurorisë, të njëjtit dyshohen se kanë shitur mjaltë të kontrabanduar që nuk i plotëson kushtet e nevojshme për konsum dhe se përmban “substanca të dëmshme për shëndetin”.

Kamer dhe Epidam Gjikokaj janë udhëheqës të kompanisë “Epi Honey”, e cila merret me tregtinë e artikujve të mjaltës.

Prokuroria tha se të arrestuarit dyshohen se që nga marsi i vitit 2023, përmes kufirit Maqedoni e Veriut-Kosovë, kanë kontrabanduar mjaltë me origjinë nga vende të ndryshme.

Lexo edhe:  Punime në rrjet, KEDS tregon ku do të ketë nesër ndërprerje të rrymës