Bëri botox, 30 vjeçarja e pëson keq: Pjesa e injektuar u mbush me qelb, personi që më injektoi ishte floktare

Dëshira për të bërë ndryshime estetike në fytyrë, një 30-vjeçareje në Prishtinë i kushtoi me përkeqësime të mëdha shëndetësore.

Laura, identiteti i vërtetë i së cilës është i njohur për redaksinë e REL – thotë se para një viti bëri fillimisht injektime me substancën botoks në fytyrë, e pastaj edhe me filler.

Injeksionet e botoksit janë krijuar për t’i relaksuar muskujt e fytyrës, me qëllim të zbutjes së rrudhave. Fillerët mbushin linja në fytyrë ose shtojnë volumin në pjesë të caktuara, si buzët apo faqet.

“Disa ditë pasi kam bërë intervenimin, pjesa e injektuar ka nisur të ënjtet dhe të mbushet me qelb. Më është dashur të shkoj urgjentisht për mjekim në spital, ku kam qëndruar një javë”, thotë Laura.

Ajo tregon se ndërhyrjet në fytyrë i ka bërë në një ordinancë private.

“Personi që ka intervenuar në fytyrën time, nuk ka pasur të bëjë me profesionin e mjekut. Ka qenë floktare. Është marrë me rregullimin e vetullave dhe, pastaj, ka filluar t’i aplikojë edhe këto gjërat e tjera”, sipas Laurës.

Ajo thotë se nuk ka qenë e njoftuar paraprakisht për rreziqet e mundshme dhe se, po të kthehej prapa në kohë, nuk do të bënte ndërhyrje të tilla.

“Kanë kaluar shumë muaj dhe unë ende po merrem me pasojat”, thotë Laura, duke mos dhënë shumë detaje se cili ka qenë saktësisht shkaku i përkeqësimeve të saj shëndetësore.

Shumica e mbushësve të lëkurës përmbajnë një substancë natyrale, të quajtur acid hialuronik, dhe zgjasin nga gjashtë deri në 18 muaj.

Trendi i përdorimit të tyre është në rritje jo vetëm në Kosovë, por gjetiu në botë.
Arsyet, sipas raportimeve të mediave të ndryshme, variojnë nga përpjekjet “për të luftuar plakjen” deri te dëshira për të qenë në hap me personalitetet e rrjeteve sociale.

Lexo edhe:  “E para familja, gjithçka tjetër vjen në radhë të dytë”, mesazhi i “koduar” i Luizit pasi takoi motrën në SHBA