Bëhet shkrumb e hi ‘Mercedesi’ i 20 mijë eurove në Gjilan, sigurohen pamjet kur dikush e dogji qëllimisht

Rastet e zjarrvënieve të qëllimshme, qoftë në vetura, lokale apo hapësira të ndryshme publike s’janë edhe fort të rralla në vendin tonë.

Kështu ka ndodhur edhe mbrëmë pas mesnate, në rrugën “Edit Durham” në Gjilan, ku dikush ia vuri flakën një veture të tipit ‘Mercedes’, raporton Gazeta Sinjali.

Rastin e ka denoncuar pronari i veturës, i cili në një prononcim për Sinjalin ka deklaruar se vlera e dëmit është rreth 20 mijë euro dhe nuk e njeh personin që ia dogji veturën e as motivin e rastit.

Si rezultat i raportimit të rastit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore, zjarrfikësit dhe eksperti i zjarrit të cilët kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.

Ndërkohë Policia ka siguruar pamje të incidentit dhe janë ndërmarrë veprimet e nevojshme për të identifikuar dhe arrestuar personin e dyshuar.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, rasti është hapur si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

Lexo edhe:  Prizrenasi dyshohet për dhunë në familje, ia futi gishtat në sy bashkëshortes së tij