Batatina e quan “Sherif Petroll” klubin e Sheriff Tiraspolit, thotë se i bënë ofertë me pagë 380 mijë €

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina ka thënë se ka pranuar tri oferta për të vazhduar karrierën e trajnerit jashtë Kosovës.

Një nga ofertat, sipas Batatinës, ka ardhur nga klubi kampion i Moldavisë, Sheriff Tiraspol, të cilit ai i është referuar gabimisht si “Sherif Petroll”.

Megjithatë, Batatina ka thënë se e ka refuzuar ofertën e kampionëve të kampionatit moldav, të cilët këtë vit bëjnë gara në Ligën e Evropës.

“Është e vërtetë që kam pasur biseda me Kryesinë këto dy-tri ditët e fundit dhe e di që kanë ardhur tri oferta te Llapi për të shkuar jashtë Kosovës. Kam pasur në Kazakistan një ofertë, pastaj në Azebajxhan një ofertë dhe e fundit ka qenë një ofertë nga Sherif Petrolli [Tiraspol, v.j], me një ofertë gjigante që të shkoj si trajner nga 1 janari. Megjithatë, për shkak të projektit që kemi këtë sezon me Llapin, nuk kam dashur të shkoj. Oferta e fundit te Sheriff Petrolli [Tiraspoli, v.j] ka qenë 380 mijë euro viti”, ka thënë ai.

Batatina ka thënë se ende e ka qëllim që ta marrë drejtimin e një skuadre evropiane.

“Ndoshta qëllimi im që ta marrë një skuadër evropiane është që ta thej atë tabunë që edhe në Kosovë ka trajnerë që mund të bëjnë gjëra madhore”, ka deklaruar Batatina.

Lexo edhe:  Distria Krasniqi e mbyll vitin si lidere e renditjes botërore