Bastisje në shtëpinë e të dyshuarit të katërt për vrasjen e Liridonës, zbulohet çka u gjet

Në vazhdën e zhvillimit të hetimeve për rastin e vrasjes së rëndë të 30-vjeçares, Liridona Ademaj, Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë dhe me urdhër të Gjykatës, ka kryer sot një aksion policor në fshatin Novosellë të Gjakovës, me ç’rast ka arrestuar edhe të dyshuarin e katërt, Tomë Dodaj.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se gjatë kontrollit të shtëpisë së Dodajt, Policia ka gjetur dhe sekuestruar një armë të gjatë.

49-vjeçari është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga organet e hetuesisë.

Dodaj dyshohet se ka furnizuar me armën e krimit dy të dyshuarit tjerë, Naim Murselin dhe Granit Plavën.

Ndryshe, mbrëmjen e 29 nëntorit, i gjithë vendi u trondit nga ngjarja makabre ku viktimë ishte 30-vjeçarja, Liridona Ademaj.

Rasti fillimisht u cilësua ‘Grabitje e armatosur me pasojë vdekjen’, pasi të dyshuarit, Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe bashkëshorti i së ndjerës, Naim Murseli, kishin inskenuar ngjarjen që të paraqitet si grabitje e armatosur.

Të dyshuarit janë dërguar në paraburgim për 30 ditë në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz.

Naim Murseli ngarkohet me veprën penale ‘Vrasje e rëndë në bashkëkryerje’.

Granit Plava ngarkohet me veprat penale ‘Vrasje e rëndë’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.

Kushtrim Kokalla ngarkohet me veprën penale ‘Marrëveshje për të kryer veprën penale ‘Vrasje e rëndë’’.

Trupi i të ndjerës, Liridona Ademaj, të hënën u zhvarros nga varrezat e fshatit Cërmjan, për t’u përcjellë në banesën e fundit në fshatin e saj të lindjes, në Rracaj të Gjakovës.

Kjo vrasje e rëndë ka tronditur qytetarët, shoqërinë civile dhe akterët e fushës së politikës, të cilët kanë reaguar ashpër duke kërkuar dënim maksimal për kryesit e veprës.

Lexo edhe:  Mungesë e energjisë elektrike në shumë qytete dhe fshatra të Kosovës

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.