Babë e bir humbën jetën nga shpërthimi në Lushnjë, familja Hoxha hap dyert e mortit

Famija Hoxha ka hapur sot dyert e mortit në fshatin Stan Karbunarë për Roland dhe Elidon Hoxhën (babë e bir), të cilët humbën jetën ditën e djeshme nga shpërthimi në kapanonin në ndërtim në Lushnjë, ku të dy ishin duke punuar me vinç.

Fqinjët e të ndjerëve janë shprehur sot për mediat se babë e bir kanë qenë njerëz të shkëlqyer dhe punëtorë. Të tronditur nga ngjarja fqinjët thanë se Rolandi punonte një jetë të tërë me vinç. Ata thanë gjithashtu se Rolandi la pas bashkëshorten dhe dy fëmijët e tjerë.

Mediat thonë se babë e bir kishin filluar punë ditën e djeshme, ndërsa djali kishte pak kohë që ishte kthyer nga Italia.

Nga shpërthimi pati edhe disa persona të plagosur, mes tyre edhe deputeti socialist Bujar Çela, i cili u nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale në Tiranë, pasi kishte marrë dëmtime të shumta.

Në vendngjarje, përpos efektivëve të policisë mbërritën edhe ekspertët e Njësisë Antieksploziv, pasi në ambientet e kapanonit gjenden disa bombola, të cilat fatmirësisht nuk kanë shpërthyer. Shpërthimi i shkaktuar nga bombolat me oksigjen, të cilat ranë kontakt me rrymën elektrike gjatë transportimit me vinç ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, jo vetëm në ambientet e kapanonit, por edhe në bizneset përreth, pronarët e të cilëve shprehen se janë tronditur nga ngjarja.

Kujtojmë se ngjarja ndodhi rreth orës 16:05 në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Plasmasit”, në një kapanon në ndërtim. Dyshohet se gjatë punës, vinçieri duke drejtuar vinçin, aksidentalisht ka prekur linjën e tensionit të lartë dhe për rrjedhojë ka ndodhur shpërthimi i fuqishëm.

Lexo edhe:  Dhunë në një familje në Gjakovë: 35-vjeçari e sulmon fizikisht kunatën, tenton ta dëbojë nga shtëpia