Babë e bir e bëjnë për spital policin e Kosovës
Zënkat e mosmarrëveshjet për prona në vendin tonë janë shumë të shpeshta. Në to zakonisht përfshihen familjarë e fqinj dhe në shumë raste eskalojnë në të shara, kërcënime, sulme fizike e shpesh edhe tragjikisht.
Një mosmarrëveshje për pronë ka lindur edhe mes dy personave në rrugën ‘Hoxhë Jonuzi’ në Viti, ku janë përfshirë babë e bir. E krejt rastësisht në gjithë atë katrahurë e pësoi një zyrtar policor i cili ishte jashtë detyrës zyrtare.
Sinjali mëson se e gjithë ngjarja ka ndodhur sot rreth orës 16:00 ku pas konfliktit verbal mes dy familjarëve, ata dyshohet se kanë sulmuar zyrtarin policor, të cilit i kanë shkaktuar lëndime trupore.
Si pasojë e lëndimeve të marra, viktima ka kërkuar ndihmë mjekësore në Emergjencën e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Viti dhe ndërkohë rastin e ka denoncuar edhe në Polici.
Si rezultat i denoncimit, të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor dhe janë intervistuar lidhur me rastin. Me urdhër të prokurorit, ndaj tyre është iniciuar rasti ‘Lëndim i lehtë trupor’.