Babai nga Turqia ribashkohet me të bijën për herë të parë që nga tërmeti shkatërrues

Gada Ayyan, vajza 4-vjeçare dhe babai i saj Ahmet Ayyan, janë ribashkuar pasi kishin ngecur nën rrënoja, në atë që dikur ishte shtëpia e tyre në jug të Turqisë.

“Kur filloi të dridhet, mora vajzën dhe tërë familja filloi të ikë. Megjithatë e tërë shtëpia u shemb mbi ne”, tha Ahmet gjatë një bisede për CNN.

Për fat të keq, gruaja dhe djali 8-vjeçar nuk arritën t’i shpëtojnë më të keqes.

E në ditën e katër duke qëndruar nën rrënoja, kishte thënë se po humb shpresat. Kishte dhimbje të mëdha dhe këmba i ishte lënduar rëndë. Megjithatë, ishte vajza ajo që nuk e la t’i humb shpresat dhe se do të shpëtohet, transmeton Telegrafi.

“Vajza vazhdimisht më fliste, baba mos qaj. Po vijnë të na shpëtojnë”, kujton ato momente Ahmet.

Ajo e kishte këshilluar që të shikonte në dritën që depërtonte në rrënoja, dhe aty filluan të dëgjojnë zëra. E kuptuan se po shpëtohen.

 

Fillimisht u nxor Gada me disa gërvishtje të lehta. Një orë më vonë arritën ta nxjerrin edhe Ahmetin. Por ajo iu dorëzua organeve lokale kur babai i saj u dërgua në spital.

Kur humbi gjurmët e bijës, ishte i bindur që sërish do ta takoj qoftë edhe gjëja e fundit që do ta bënte në jetë.

VIDEO

Në Facebook dhe Instagram publikoi fotografinë e saj dhe luste të gjithë ta ndihmojnë ta gjejë. Në fund, u mësua se autoritetet lokale e kishin marrë dhe se ajo është shëndoshë e mirë, por pa prindër.

“Ajo më ka mbajtur në jetë. Është vajza ime. Heroina ime”, tha babai i 4-vjeçare e cila së bashku me të duhet të jenë më të forta pas humbjes së gruas dhe të birit.

Lexo edhe:  Aksident i rëndë në Prizren, 5 persona bëhen për spital