Babai në Prishtinë e zhvesh dhe rrah me kabllo fëmijën 11-vjeçar, dërgohet në mbajtje

Jo rrallëherë prindërit përfundojnë në pranga për shkak të keqtrajtimit që ua bëjnë fëmijëve. Në shumicën e këtyre rasteve, viktima janë të miturit, ndaj të cilëve ushtrohet dhunë fizike e psikike. Për një rast të tillë, ka rënë në pranga një burrë në Prishtinë.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se 32-vjeçari në rrugën ‘Muharrem Fejza’ dyshohet se ka ushtruar dhunë brutale ndaj fëmijës së tij 11-vjeçar, duke e zhveshur atë dhe duke e rrahur me kabllo elektrike.

Si pasojë e dhunës që përjetoi, i mituri ka marrë lëndime të dukshme trupore dhe ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital.

Ndërkohë ai ka dhënë dëshminë e tij në praninë e zyrtarit të Qendrës për Punë Sociale dhe më pas për shkaqe të sigurisë, është dërguar në strehimore.

I dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar lidhur me rastin.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që 32-vjeçarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Keqtrajtim apo braktisje e fëmijës’.

 

Lexo edhe:  Policia kap tjetër arsenal armësh në Zveçan