Avokati Berisha: Familja e të dënuarve publikoi pamje të montuara, e vërteta qëndron ndryshe
Avokati Besnik Berisha, ka reaguar pas publikimit të pamjeve nga familja e dy të dënuarve, Samet dhe Fisnik Ismajli, të cilët u shpallën fajtorë për vrasjen e kushëririt të tyre në vitin 2019, në Sadovinë të Vitisë. Berisha, si përfaqësues i palës së dëmtuar, tha se videoja e publikuar dje është e montuar dhe ka për qëllim që të ndikojë në vendimin e Gjykatës Supreme.
Në një prononcim për Gazetën Sinjali, Berisha tha se e vërteta qëndron ndryshe pasi publikimi i pamjeve të tilla, tenton të krijojë mjegull për diçka që tashmë është vërtetuar në dy instanca të Gjykatës.
Berisha tha se vendimi i gjykatës mbështetet edhe në prova të shumta, duke përmendur edhe rikonstruimin e vendit të ngjarjes.
“Pamje të montuara, paraqitja e fakteve absolutisht e pasaktë me atë që ka ndodhur, dhe mbi të gjitha qëllimi i publikimit është për të vënë në lajthim Gjykatën Supreme, si shkalla e fundit, ku mund të trajtohen pretendimet e ngritura nga familja e të akuzuarve dhe mbrojtësit e tyre. Është e pakontestueshme se vendimi i gjykatës mbështet në prova të shumta, në dëshmi të dëshmitarëve okularë dhe po ashtu për ta vërtetuar drejtë dhe në mënyrë të plotë gjendjen faktike, gjykata e shkallës së parë kishte bërë edhe ri rikonstruimin e vendit të ngjarjes.
Me rastin e rikonstruimit, Gjykata iu ka dhënë mundësi të gjitha palëve për të parashtruar pyetje dhe sqaruar dilemat eventuale lidhur me pretendimet në aktakuzë. Të gjithë të akuzuarit kishin mundësi për ta sqaruar pozitën dhe rolin e tyre në krimin që i mori jetën një të pafajshmi me duarthatë.”, tha Berisha.
Tutje avokati theksoi se manipulimi i opinionit me publikimin e pamjeve të montuara, po bëhet pikërisht pak ditë para se Supremja ta trajtojë rastin dhe të marrë një vendim.
“Për korrektësi të opinionit, pamjet e publikuara as nuk janë të plota, e as nuk janë të paprekura, por siç shihet edhe nga montimi me shigjeta, montazheri është kujdesur që të krijojë mjegull në diçka që është fare e qartë dhe që është vërtetuar në dy instanca të gjykatës.
Është për keqardhje se manipulimi i opinionit me prova të montuara, synohet të bëhet pak ditë kur Gjykata Supreme do ta marrë në trajtim dhe do të vendosë lidhur me mjetet juridike që janë parashtruar nga të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre.”, shtoi ai.
Megjithatë, Berisha tha se janë të bindur se e vërteta është ajo që është gjykuar dhe se do të pranojnë çfarë vendimi.
“Pala e dëmtuar dhe unë si përfaqësues i tyre mbetemi të përkushtuar për drejtësi, pranojmë çfarëdo vendimi të gjykatës, sepse jemi të bindur se e vërteta është ajo çfarë është gjykuar tashmë, e jo çfarë i është servuar opinionit me video të montuara.”, përfundoi Berisha.