Autobusi nga Serbia shkakton aksident zinxhir në Zvicër, shoferi kosovar përfundon në arrest

Një aksident i pazakontë ka ndodhur në Zvicër, pranë qytetit të Cyrihut, kur një autobus me udhëtarë nga Serbia ka shkaktuar një përplasje zinxhir në autostradë, pasi shoferi ka tentuar të kthehet mbrapsht në mes të rrugës.

Sipas mediave zvicerane, përfshirë gazetën“Blick”, autobusi po udhëtonte në autostradën A3, përmes tunelit të Üetlibergut, në drejtim të Churit. Pasi kishte dalë nga tuneli, mjeti ndaloi në krahun e majtë të rrugës — në korsinë e parakalimit — dhe më pas shoferi nisi të lëvizte mbrapsht.

Kjo manovër e rrezikshme shkaktoi një aksident zinxhir me pesë automjete të tjera, të cilat u përplasën njëra pas tjetrës. Për fat të mirë, asnjë person nuk mbeti i lënduar, megjithëse dëmet materiale ishin të konsiderueshme.

Policia e kantonit të Cyrihut arrestoi menjëherë shoferin 61-vjeçar, i cili është shtetas i Kosovës. Ai po hetohet për shkelje të rëndë të rregullave të trafikut, ndërsa autoritetet zvicerane i kanë ndaluar përkohësisht drejtimin e automjeteve në territorin e Zvicrës.

Hetimet po vazhdojnë për të zbuluar pse shoferi kishte vendosur të kthehej mbrapsht në autostradë. Dyshohet se ai mund të ketë humbur orientimin dhe ka dashur të kthehet drejt qytetit të Cyrihut, pasi kishte kaluar daljen e duhur.

Aksidenti shkaktoi bllokim të madh të trafikut në hyrje të Cyrihut dhe kolonat e automjeteve shtriheshin deri në afërsi të Verzweigung Zürich-West, në Wettswil.

Lexo edhe:  Fermeri demanton Kurtin që tha para ardhjes së tij qumështi u rrit 20 për cent: Kurrë nuk ka ndodh kjo