Auditori gjen se Komuna e Shpejtim Bulliqit u dha tenderë milionësh kompanive pa i plotësuar kriteret

Zyra Kombëtare e Auditimit, në raportin e saj vjetor për pasqyrat financiare në Komunën e Podujevës, ka gjetur se në tre tenderë milionësh ishin shpërblyer me kontrata kompani që nuk i plotësonin kriteret e vendosura në dosje nga vetë komuna, e udhëhequr nga Shpejtim Bulliqi, shkruan Reporteri.net.

Një prej këtyre rasteve është tek kontratat për ndërtimin e kanalizimit nga fshati Lluzhan-Lupç, Gërdofc-Lluzhan, Majac-Lupç dhe Sfeqël-Lluga. Ky tender ka qenë i ndarë në tri lote, në vlerë totale 3 milinë e 483 mijë e 343 euro.

“…në njoftimin për kontratë dhe dosjen e tenderit në kërkesën për kapacitetin ekonomik dhe financiar ku përveç tjera kërkohen pasqyrat financiare të audituara ndërsa (OE) në ofertën e tij ka paraqitur raportin e rishikimit të pasqyrave financiare”, theksohet në raport.

Shpërblimi me kontratë i kompanive pa i plotësuar kriteret, është bërë edhe në dy tender tjerë milionësh. Njëri në vlerë 2 milionë e 430 mijë e 303 euro për ndërtimin e Shkollës së Mesme Profesionale në Zonën Industriale, si dhe një tjetër në vlerë 1 milion e 440 mijë e 787 euro për ndërtimin e Tregut të Gjelbër.

“…në njoftimin për kontratë dhe dosjen e tenderit në kërkesën për kapacitetin teknik dhe profesional, kërkohet në aneksin 7 për pajisjet dhe mekanizmin me nr. rendor 1-10 kompresor për thyerjen e betonit që të dëshmohet nga pajiset dhe mekanizmi më librezë të qarkullimit. Në ofertat e dorëzuara në shënimin për lista e makinerisë për kompresor për thyerjen e betonit tek kolona shënimet re kapitulluese për secilën pajisje ka shënuar librezen, për të cilin nuk ishte dokumenti i librezës së qarkullimit”, ka gjetur auditori.

 

Komuna ka vepruar në të njëjtën formë edhe te kontratat për asfaltimin e rrugëve në qytet, për llotin I dhe llotin II.

Lexo edhe:  Përditësohen të dhënat, ja sa po presin mërgimtarët për të hyrë dhe dalë nga Kosova

Përderisa në dosje ishte kërkuar që kompania të ofronte librezë të qarkullimit për pajisjet dhe mekanizmin e përdorur, në ofertë ka munguar libreza. Pavarësisht kësaj, kompania është shpërblyer me të tri llotet.,

“Në njoftimin për kontratë dhe në dosjen e tenderit është parapara që vetëm në një llot mund të shpërblehet një operator tutje janë kërkuar për kapacitetin teknik dhe profesional pajisjet dhe mekanizmin kërkohet në aneksi 7 më në listën e makinerisë për pikën 12 Cilindër, max 3t dhe pikën 16 kompresor për thyerjen e betonit. Në ofertën e dorëzuar për Cilindër max 3t është referuar dëshmimi më faturë 22/19 e datës 15.04.2019 dhe për kompresorin me librezën e qarkullimit, e që mungojnë në ofertë (fatura dhe libreza e qarkullimit), ndërsa OE ishte kontraktuar për tri llotet në fjalë”, thuhet në raport.

Gjetja tjetër e Auditorit është tek kontratat për rregullimin e hapësirave publike përgjatë lumit Llap në këtë qytet,

Në njoftimin për kontratë dhe dosjen e tenderit në kërkesën për kapacitetin teknik dhe profesional, kërkohen certifikatat ISO dhe menaxherin e projektit- inxhinier i diplomuar ose bachellor ielektros përfshirë kontratën për projektin në fjalë.

“ Për llotin III OE fitues nuk i kishte bashkangjitur në ofertë ISO standardet, ndërsa për llotin IV OE fitues në vendimi i menaxherit të kontratës nuk i ishte referuar kontratës por për projekte të ndryshme elektrike dhe nuk ka prezantuar kontratë për projektin në fjalë”, thekson ZKA.

Sipas Auditorit, në asnjë tenderim Komuna e Podujevës nuk kishte kërkuar sqarim të tenderëve.

“Kjo ka ndodhur si pasojë e mungesë së funksionimit të kontrolleve të brendshme, në fushën e prokurimit”, vazhdon raporti.

Sipas ZKA’së, kontraktimi i kompanive në këtë formë eliminon mundësinë e një procesi të mirëfilltë të prokurimit, i cili mund të përjashtoj nga procesi kompani të përgjegjshëm dhe mund të ndikoj që kontrata të mos realizohet.

Lexo edhe:  SHBA i dorëzon Serbisë 66 automjete Humvee

“Kryetari duhet të sigurojë forcimin e kontrolleve në fushën e prokurimit, në mënyrë që vlerësimi i ofertave të bëhet në pajtueshmëri të plotë me kërkesat e vendosura në dosjet e tenderit dhe në pajtueshmëri me kërkesat ligjore. Po ashtu, përmes zyrtarëve përgjegjës të sigurojë se anëtarët e komisioneve i kuptojnë detyrat dhe përgjegjësitë e tyre në angazhimet përkatëse, dhe në rast të gabimeve eventuale këto të evidentohen nga zyrtarët e prokurimit para nënshkrimit të raportit të vlerësimit”, thuhet në raport.