Arrestohet vushtrriasi Jeton Mehmeti për mashtrim të qytetarëve në vlerë rreth 2 milionë euro

Policia e Kosovës ka arrestuar një person nën dyshimin për mashtrim të personave tjerë në vlerë rreth 2 milionë euro.

Veriu.info mëson se personi i arrestuar është Jeton Mehmeti nga Vushtrria.

Burime të Veriu.info bëjnë të ditur se arrestimi i Jeton Mehmetit ka ardhur pas një pune hetimore nga vitit 2023, kohë kur kishin ndodhur denoncimet e para ndaj tij nga viktimat.

Nga burime brenda prokurorisë, Veriu.info ka mësuar se fjala është për një skemë mashtrimi me cigaret Trokadero, ku i arrestuari dyshohet se iu kishte marrë para avans viktimave për t’iu sjellë cigare, por të cilat nuk ua ka sjellë asnjëherë.

“Prokuroria Themelore në Mitrovicë, njofton opinionin se është arrestuar personi i dyshuar me iniciale J.M,. me dyshimin se në periudha të ndryshme nga viti 2021 e gjer në muajin korrik 2023, në mënyrë mashtruese ka mashtruar qytetarë të ndryshëm, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, dhe dyshohet se vlera e përfitimit është rreth 2 milionë euro. Me këto veprime i dyshuari ka kryer veprën penale “Mashtrimi” nga neni 323 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Bëhet e ditur se i dyshuari me vendim të prokurorit gjendet në ndalim 48 orësh, dhe në afatin e paraparë ligjor Prokuroria Themelore në Mitrovicë ndaj të dyshuarit do të paraqes kërkesë për caktimin e masës së sigurisë – masës së paraburgimit.

Lexo edhe:  E dhimbshme: Ky është 52-vjeçari që u gjet i vdekur në rrugë në Prizren