Arrestohet një 36-vjeçar në Lipjan, dyshohet se dhunoi një 13-vjeçare
Numri i rasteve të ngacmimeve, sulmeve e dhunës seksuale në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Në shumë prej tyre, viktima janë vajzat e mitura, ndërsa shpesh të dyshuar, janë persona të moshës madhore, të cilët përkundër moshës minorene të viktimave, krijojnë raporte intime me to dhe i keqpërdorin seksualisht, raporton Gazeta Sinjali.
Një ngjarje e rëndë dyshohet t’i ketë ndodhur një vajze të moshës 13-vjeçare në Lipjan, e cila ka raportuar në Polici se është viktimë e dhunës seksuale.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë bëjnë me dije se pas disa ditësh hetime, është arritur që të identifikohet personi i dyshuar.
36-vjeçari është arrestuar gjatë ditës së djeshme dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunim’.