Arrestohet në Morinë 39-vjeçari nga Peja, në veturë iu gjetën 11 kilogram heroinë
Një 39-vjeçar nga Peja është arrestuar nga policia në Morinë pasi tentoi të transportonte lëndë narkotike të ndara në pako.
“Sekuestrohen 11 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar heroinë dhe automjeti tip “Volkswagen” ku u gjet kjo lëndë”, njofton policia e shtetit shqiptar përmes rrjetit social Facebook.
“Strukturat e DVP Kukës, në bashkëpunim me shërbimet doganore të PKK Morinë, me shërbimet e Policisë Kufitare të Morinës dhe të Kosovës, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, për një rast të tentativës për të trafikuar lëndë narkotike, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Koordinimi”. Gjatë operacionit, në hyrje të Shqipërisë, u kap në flagrancë dhe u arrestua shtetasi kosovar A. K., 39 vjeç, banues në Pejë”, thuhet tutje në njoftim.
Gjatë kontrollit në automjetin tip “Volksëagen” që drejtonte ky shtetas, u gjetën 11 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar heroinë e ndarë në pako, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin e 39-vjeçarit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.