Arrestohet i mituri që bënte kërdi në Ferizaj, dyshohet se vodhi katër vetura brenda një jave

Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, biznese e institucione financiare që po shkaktojnë humbje e pasiguri. Hajnat në të shumtën e rasteve arrijnë që të ikin nga duart e organeve të rendit, por ka të atillë që kapen pas veprimeve hetimore të Policisë.

Kështu ka ndodhur dje në Ferizaj, ku një person u arrestua pasi dyshohet se ka kryer disa vjedhje në periudha të ndryshme kohore.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se 17-vjeçari është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Sipas njoftimit të Policisë, ai dyshohet të ketë bashkëvepruar në vjedhjen e veturave dhe një shtëpie.

Policët hetues pas një pune intenzive, grumbullimit të informacioneve në terren, shikimit të kamerave të sigurisë, kanë arritur që të sigurojnë prova të mjaftueshme dhe të identifikojnë të dyshuarin tjetër S.XH (M/K) i moshës 17 vjeçar, e më pas mbrëmë rreth orës 23:00 ta arrestojnë, i cili dyshohet se ka kryer në bashkëveprim vjedhje dhe tentim vjedhje në Ferizaj :

– me datën 04.04.2023 në rrugën ‘’ Isa Boletini’’ është vjedhur një veturë pikap,

– me datën 04.04.2023 në rrugën ‘’Rexhep Bislimi’’ është vjedhur një veturë e tipit Passat,

– me datën 11.04.2023 në rrugën ‘’Daut Dauti’’ është vjedhur një kamionet e tipit Mercedes,

– me datën 11.04.2023 në rrugën ‘’Rexhep Bislimi’’ është tentuar të vjedhet në një shtëpi banimi,

– me datën 11.04.2023 në rrugën ‘’Riza Goga’’është tentuar të vjedhet në një shtëpi banimi dhe të vjedhet një veturë“, thuhet në njoftim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Vjedhje’.

Lexo edhe:  Dy shoferë të dehur kapen në flagrancë nga Policia, dënohen me nga 200 euro dhe mbesin pa patentë