Arrestohen tre kosovarë në Sarandë, tentuan t’ua kalonin kufirin ilegalisht 26 migrantëve
Policia e Shqipërisë ka arrestuar në Sarandë tre shtetas të Kosovës, pasi ata dyshohet se tentuan t’ua kalonin ilegalisht kufirin 26 migrantëve që t’i dërgonin ata nëpër vende të BE-së.
Tre të dyshuarit ishin me tri automjete të ndryshme. Ata në këmbim të parave u premtuan 26 migrantëve të kalonin paligjshëm kufirin drejt shteteve të BE-së.
“Shërbimet e Policisë Kufitare Sarandë, në vazhdën e operacioneve të njëpasnjëshme, të mbështetura nga inteligjenca informative, me fokus parandalimin, evidentimin dhe goditjen e dhënies ndihmë emigrantëve nga vendet e treta, kundrejt pagesave, për të kaluar ilegalisht kufirin, drejt vendeve të BE-së, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Border”, si rezultat i të cilit nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë, u arrestuan shtetasit: Sh. Sh., 25 vjeç, H. H., 22 vjeç dhe Sh. I., 47 vjeç, të tre banues në Kosovë. Këta shtetas u kapën në flagrancë nga shërbimet e Policisë Kufitare të Sarandës, teksa transportonin kundrejt fitimit, me 3 automjete të ndryshme, 26 emigrantë, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit. Automjetet e përdorura nga këta shtetas për këtë veprimtari kriminale, si dhe celularët e tyre, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shqipërisë.