Arrestohen sërish dy problematikët e njohur për Policinë në Istog, kapen në flagrancë me drogë

Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare.

Edhe më shqetësues këtë dukuri e bën mungesa e trajtimit preventiv nga institucionet. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike, shkruan Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë është zbuluar edhe mbrëmë në fshatin Kashicë të Istogut, ku një një njësi policore që po patrullonte në atë zonë ka ndalur një veturë, nën dyshimet për gjësende të kundërligjshme.

Sinjali mëson se dy të dyshuarit që ndodheshin në veturë janë emra të njohur për Policinë, pasi janë recidivistë të veprave të ndryshme penale. Të shtunën ata u kapën me dy qese me substanca narkotike, të llojit marihuanë, që Policia ua gjeti pas kontrollit.

Për shkak të posedimit të drogës, të dyshuarit janë arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku kanë dhënë deklaratat e tyre lidhur me veprën me të cilën ngarkohen.

Pas përfundimit të proceduarve policore, Prokurori ka urdhëruar që ndaj tyre të nisin hetimet nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.

Lexo edhe:  Ndalohen kamionët me targa të Serbisë në Jarinje