Arrestohen babë e bir në Prishtinë pasi u rrahën mes vete, burri e godet djalin shuplakë në sy të policëve

Zënkat e ngatërresat mes baballarëve me fëmijët e tyre shpesh herë përfundojnë me dhunë. E konfrontimet fizike mes tyre bëhen shkak që të intervenojnë edhe njësitë policore në mënyrë që të zgjidhen telashet.

Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë pas mesnate në një familje në rrugën ‘Xhelal Hajda’ në Prishtinë, ku babë e bir kanë përfunduar në pranga pas një përleshje fizike.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se ka qenë 25-vjeçari ai i cili fillimisht dyshohet të ketë sulmuar fizikisht babain e tij duke e goditur me shqelma.

Me të arritur Policia në vendin e ngjarjes, i riu ka tentuar që të ikë, por është arritur që të arrestohet. Po ashtu në vendngjarje është hasur edhe i dyshuari tjetër, babai i djalit, i cili në sy të policëve e ka goditur shuplakë 25-vjeçarin.

Pas arrestimit ata fillimisht janë dërguar për tretman mjekësor e më pas janë shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj tyre të iniciohet rasti ‘Dhunë në familje’ dhe të njëjtit të ndalohen për 48 orë.

Lexo edhe:  Dalin rezultatet e Provimit të Maturës, kjo është kalueshmëria