Amerika mirëpret vendimin ndaj Mustafës: Nuk është aktgjykim kundër UÇK-së

Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price, ka bërë të ditur se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e mirëpresin aktgjykimin në rastin ndaj Salih Mustafës nga Gjykata Speciale.

Price ka publikuar reagimin e DASh-it pas dënimit prej 26 vjet burgim për Mustafën, teksa thuhet se aktgjykimi është një hap i fortë drejt ndihmës së Kosovës për të mbështetur sundimin e ligjit dhe për të siguruar drejtësi për viktimat.

“Shtetet e Bashkuara mirëpresin vendimin në rastin kundër Salih Mustafës, rasti i parë në Dhomat e Specializuara të Kosovës që përfshin akuza për krime lufte. Mustafa, një ish-komandant në njësinë Guerile të BIA-s të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), u dënua për krimet e luftës, të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes të kryera në një vend të paraburgimit dhe marrjes në pyetje të BIA-s në vitin 1999 dhe u dënua me 26 vjet”.

“Siç theksoi Trupi Gjykues, vendimi nuk është aktgjykim kundër UÇK-së apo Kosovës, por ka të bëjë vetëm me përgjegjësinë penale individuale të të pandehurit. Ky aktgjykim është një hap i fortë drejt ndihmës së Kosovës për të mbështetur sundimin e ligjit dhe për të siguruar drejtësi për viktimat. Ne gjithashtu përgëzojmë guximin e viktimave dhe dëshmitarëve individualë që dolën përpara dhe dënojnë kërcënimet dhe frikësimet me të cilat janë përballur. Pa këta individë të guximshëm, drejtësia nuk do të ishte e mundur”, thuhet në reagimin e DASH-it.

Edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka shpërndarë reagimin e Price teksa thotë se ky nuk është një aktgjykim kundër UÇK-së, por ka të bëjë me përgjegjësi individuale.

“ShBA-ja mbështet Dhomat e Specializuara në përpjekjet e tyre për të ofruar drejtësi për të gjithë. Ky nuk është një aktgjykim kundër UÇK-së apo Kosovës, por ka të bëjë vetëm me përgjegjësinë penale individuale të të pandehurit” ka shkruar Hovenier në Twitter.

Lexo edhe:  Buzhala: Sipas prognozave, çmimi këtë vit mund të arrijë deri në 1,000 euro për megavat