Ali Ahmeti mbështet protestën kundër Speciales: Lufta e UÇK-së ishte e drejtë
Lideri i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, Ali Ahmeti, ka shprehur mbështetje për protestën kundër Gjykatës Speciale, e cila do të mbahet më 7 gusht në Prishtinë, duke u bërë thirrje të gjithë shqiptarëve që t’i bashkohen kësaj nisme.
Përmes një postimi në profilin e tij në “Facebook”, Ahmeti ka theksuar se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e drejtë dhe e domosdoshme.
“Lufta e popullit shqiptar e prirë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishtë e drejtë, e duhur dhe e përkrahur nga gjithë bota demokratike dhe liridashëse. Që nga paslufta, panumër procese gjyqësore ndërkombëtare e vendore dëshmuan çiltërsinë e luftës sonë për liri, demokraci, pavarësi. Drejtësia për popullin shqiptar nuk mund të bazohet në procese politike të imponuara nga Rusia dhe “dëshmi” të servuara nga Serbia. Unë jam pjesë e pandarë e luftës për liri të kombit tim dhe e mbështes protestën e ftuar nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së. Ju ftoj të gjithëve që të shihemi bashkë më 7 gusht, në orën 17:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në mbështetje të lirisë sonë”, ka shkruar Ahmeti.