Albin Kurti: Kanali i Ibër Lepencit po bëhet më i qëndrueshëm dhe më i sigurtë
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se po vazhdojnë investimet në infrastrukturën kritike të vendit, duke theksuar rëndësinë e projektit për rehabilitimin e kanalit Ibër-Lepenc.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kurti ka ndarë pamje nga punimet që po zhvillohen në veri të vendit.
‘Investime jetike për infrastrukturën tonë kritike. Kanali i Ibër Lepencit po bëhet më i qëndrueshëm dhe më i sigurtë”, tha ai.
Ndërkohë, edhe ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka informuar se projekti për rehabilitimin e kanalit, me vlerë rreth 13 milionë euro, është afër përfundimit.
Sipas saj, ky projekt kishte filluar me një kontratë problematike, e cila për vite të tëra kishte arritur vetëm 10% zbatim.
“Për këtë projekt, Ibër Lepenci e kishte trashëguar një kontratë problematike që kishte zbatim për vetëm 10% për vite të tëra. Ndërsa, pas shkëputjes dhe rishpalljes, në dy vitet e fundit realizimi ka arritur rreth 90% dhe pritet të përfundojë gjatë muajve në vijim. Kanali prej 49km është me rëndësi jetike për furnizim me energji, ujë të pijshëm e ujitje për bujqësi. Nga 20km të pjesës së hapur të kanalit, 10km ku kishte më shumë nevojë tashmë po rehabilitohen përmes projektit të Ibër Lepencit me Bankën Botërore, përkrahur nga Qeveria e Republikës së Kosovës”, ka thënë ajo.